Ich Albaner. Ich Arbeit. Unë shqiptar. Unë punë.
Adelina Ismaili
Unë jam rritë duke i dëgju tregimet e fëmijërisë së tij dhe përvojat si një i ri që ka vendosur të largohet nga vendi i tij për të kërkuar një mundësi të re për të ardhmen e tij. Kam marrë copëza nga këto histori gjatë gjithë jetës sime, gjithmonë duke i shijuar thellësisht. Ishte thelbësore për mua t'i dëgjoja këto histori dhe të vazhdoj ti tregoj. Kjo është arsyeja pse vendosa të ulem me babin tim dhe ta pyes konkretisht për përvojën e tij të migrimit. Teksti i mëposhtëm është një përmbledhje e asaj bisede, që tregon historinë e një të riu të vendosur, i cili i vendosi vetes një synim prej 11,000 frangash dhe, në mënyra të ndryshme, e tejkaloi atë.
Kur u pyet për arsyet e migrimit, babai im përmend kryesisht aspektet politike. Ai ndihej i kufizuar në shprehjen e identitetit të tij shqiptar në Jugosllavi dhe ishte i zhgënjyer nga politikat e vazhdueshme të regjimit jugosllav. E përshkruan me ndjenjen e të qenit një dele e zezë. Dhënë mundësia për të lënë situatën politike të asaj kohe, ai e mori. Së dyti, faktori ekonomik luajti rol gjithashtu pasi vështirësitë në gjetje të punës dhe sigurim të stabilitetit financiar për familjen e shtyu të kërkonte punë jashtë vendit. Nevoja e Zvicrës për punëtorë në vitet '80 dhe premtimi i një lirie më të madhe shtyu që babai im të vendoste të qëndronte.
Një nga kujtimet më me ndikim të përvojës së tij të migrimit ishte në vitin 1988 gjatë një kontrolli shëndetësor. Çdo punëtor sezonal duhej të bënte herë pas here një kontroll para se të fillonte punën. Qashifi kujton se si ishte me një mi duke pritur në radhë në stacionin në Buchs (St. Gallen).
Një nga shumë kujtimet pozitive vjen nga viti 1987 kur Qashifi po flinte më shumë se që duhet gjatë një mëngjesi pune. Duke i kërkuar falje thellësisht shefit të tij, ai u prit me shumë mirëkuptim. “Kjo mund t’i kishe ndodhë kujtdo. Pse ke ardhur? Mund të kishe fjetur më shumë”, kishte thënë shefi. Ky moment i vogël kishte lënë një ndikim të madh tek babi sepse nuk e kishte pritur.
Pasi punoi punë të ndryshme në Zvicër, sektori i preferuar i punës së Qashifit ishte gastronomia. Një aspekt që ai ka veçanërisht dëshirë t’a theksojë është shfaqja e mikpritjes shqiptare. “Sapo shefi im pa mikpritjen time shqiptare dhe se si mysafirët e pëlqyen punën time, ai nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të më linte të punoj si shërbyes." Kështu ai kaloi nga larja e enëve në shërbyes në vitet e para në Zvicër. Tani, më shumë se 30 vjet më vonë, Qashif ende punon në gastronomi, duke ia atribuar këtë gjë mikpritjes që “përshkon gjakun shqiptar”.
Gjëja që përbënte sfidë, veçanërisht në një punë që bazohet shumë në komunikim, ishte pengesa gjuhësore. Qashifi e përshkruan atë si të hedhurit në ujë të ftohtë i detyruar ta mësojë përmes konfrontimit. Me kalimin e viteve, do të bëhej më e lehtë dhe më e lehtë për të mësuar gjermanisht, por kjo nuk ka ardhur gjithmonë pa vështirësi. Babai im përshkruan një situatë nga viti 1982 me shefin e punës së tij të parë në Zvicër. Në bisedën e parë mes tij dhe shefit, punëdhënësi kishte përdorur një fyerje gjermane që Qashifi nuk e kishte kuptuar. “Mendova se po më përshëndeste, kur vura re se gruaja dhe vajza e tij po ndiheshin keq dhe kuptova që nuk ishte duke më përshëndetur, por duke thënë diçka ndryshe." Kur i pyeti kolegët se çfarë kuptimi kishte ajo fjalë, ai kishte marrë vesh për fyerjen e rëndë.
Në ditët e sotme, fjalët dhembin më shumë, thoshte im atë. Kur e pyeta se çfarë donte të thoshte me këtë dhe se si u lidh me përvojën e tij të migrimit, ai përsëri përmendi pengesën gjuhësore. Kur ai erdhi së pari në Zvicër, ai nuk u ndje si një dele e zezë si në Maqedoni. Por me kalimin e viteve, sa më shumë e kuptonte gjuhën, aq më shumë dëgjonte edhe fjalët negative. "Atëherë nuk e kuptoja gjuhën aq mirë, kështu që gjërat e këqija hynin në një vesh dhe dilnin në tjetrin. Tani më duket sikur kam vetëm një vesh. Tani mbetet dhe më dhemb." Ai ndonjëherë ndihet më shumë si dele e zezë tash sesa në fillim. Babai im shprehet se e gjithë puna nga koha e tij si punëtor mysafir nuk duket se vlerësohet ose thjesht harrohet. Ai ndjen se njerëzit nuk e pranojnë plotësisht komunitetin shqiptar si pjesë e shoqërisë zvicerane. Si një qytetar i ri zviceran, ai i sheh të dyja palët tani, thotë Qashifi. Vështirësitë e migrimit në Zvicër megjithëse vendi mbështetet te punëtorët e rinj dhe gjithashtu frikën e shoqërisë zvicerane që ndihet sikur diçka po u mirret. "Por nuk ka marrje, sepse njerëzit punojnë për atë që marrin."
"A ke ndonjë gjë që dëshiron me nda me brezin e ri?" E pyes babin për t’a mbyllë bisedën tonë. "Studioni dhe punoni. Dhe askush nuk do t'ju shqetësojë. Duhet të ndiheni krenarë për veten dhe atë që keni. Ju nuk i keni borxh askujt asgjë sepse jeni të barabartë. Por ju i keni të hapura të gjitha dyert dhe rrugët për veten tuaj.” Një këshillë që e kisha dëgjuar vazhdimisht gjatë gjithë jetës sime, por këtë herë babi e zgjeroi me këtë përshkrim vizual: “Ti e ke autostradën ndërsa ne kishim kanal”.
Babi (majtas) me shokun e tij më të mirë të fëmijërisë (në mes) dhe kolegen (djathtas) në kuzhinën e hotelit, 1990